Më poshtë gjeni tri esetë fituese të Garës Letrare të organizuar nga Q.S.E. “Don Bosko” – Prishtinë për të gjitha shkollat e mesme të Prishtinës.

JANAR, 2017

GRESA BERISHA

 

Shkolla e Mjekësisë  «Ali Sokoli»

Vendi i parë

Kodi: E007

 

Perceptimi i familjes në sytë e një adoleshenti

 

Familje, dashuri e pastër që buron, dhe ushqen çdo shpirt të etur. Dashuri që plotëson çdo nevojë, mbush çdo zbrazëtirë. Dorë që fshin çdo lot e zë që shkakton buzëqeshje sa herë që e dëgjon. Kala me mure të ndërtuara nga duar që edhe të plagosura vazhdojnë të punojnë. Duar që i bëjnë ballë erërave të forta të veriut që përpiqen t’i rrëzojnë  themelet. Kuptimi i jetës. Jeta vetë.

I hapim sytë bashkë me diellin në mëngjes. Jetojmë dhe një ditë tjetër, kalojmë dhe sfidat që janë caktuar për ne sot e ora pandalë vrapon dhe na mbledh të gjithë rreth tryezës. Kur dëgjoj të qeshurat që janë mjaftueshëm të zhurmshme për të zgjuar çdo zemër e çdo ndjenjë, e gjej paqen shpirtërore që aq shumë e kërkojnë. Gjej prehje, gjej aty arsyen pse i hapi sytë, e di pse jetoj, e di pse çdo sfidë më duket më lehtë e përballueshme.

Ngjan si mrekulli mënyra se si një fjalë e tyre thotë shumë, zëri i tyre i qetë buçon në tërë shtëpinë e ëmbëlsia e tij zë vend në çdo cep, se si një lot i tyre mund të thyej një zemër e buzëqeshja e tyre mund të shërojë, të kthejë në jetë. Falënderimi është më e pakta që mund të bëj. Pak, do të ishte dhe çdo fjalë, sado me kujdes e zgjedhur, për ta përshkruar ndjesinë që më falë dashuri, kjo dashuri që të ngroh shpirtin si asnjë tjetër, dashuri që është e sinqertë pa kompromis shkëmbehet çdo ditë brenda mureve të kalasë tone. Tek mbajmë duart e njëri-tjetrit, s’është vështirë të kuptosh se për të fluturuar nuk na duhen krahë. Era që fryn papushim s’mund të na rrëzojë.

Asnjë stuhi s’është mjaftueshëm e fortë për t’na penguar kur së bashku notojmë oqeaneve, valët që na kundërvihen egërsisht s’na përmbysin dot.

Jemi afër njëri-tjetrit edhe kur na sulmojnë gabimet e inati që shpesh dimë ta mbajmë. Edhe kur në tryezë ka vetëm një pjatë dhe kur çmimi i pantallonave të preferuar është shumë i lartë për ta arritur. Ju përgjigjemi “Pse”-së së Sterio Spasses dhe i themi “Të jesh” Shekspirit. Ne luftojmë dhe luftën me dashuri. Jemi familje dhe si të tillë i kundërvihemi çdo pengese.

Dhe kur në mbrëmje  Dielli mbyll sytë, i mbyllim dhe ne, të qetë , se nesër do të kemi prapë një dorë ta mbajmë kur jeta përpiqet të na hedhë poshtë. Familja është dashuri që nuk shteron, njëjtë si rrezet që do të na zgjojnë nga gjumi mëngjesin tjetër.

BLERINA BEQIRI

 

Shkolla e Mjekësisë «Ali Sokoli»

Vendi i dytë

Kodi: E010

 

Perceptimi i familjes në sytë e një adoleshenti

 

Të jesh në baraspeshë emocionale, të gjesh një strehë të sigurt shpirtit dhe të lirosh vetveten nga shtrëngesat e jetës është një arritje jo çdo herë e mundur.

E kjo, ngase vetë kujdesi që notat e larta të zërit të mos kalojnë në piskama çjerrëse është një lloj shtrëngimi.

Ashtu, herë e lumtur e herë e thyer, herë e vendosur e herë e çrrënjosur nga bota e logjikës qëndron një adoleshente e kohëve të sotme.

Arritje të madhe në jetën time konsideroja çastet  kur mendoja se i’a kam dalë të harrohem nga të tjerët.

Ashtu, e lodhur nga një jetë e mbështjellë me solemnitete, me këmbënguljen e një gurë-gdhendësi, kërkoja një dorë të më mbaj të lidhur për rrugën e drejtë.

E familja padyshim është vendi i vetëm ku arrij të kuptoj se ç’dashuri hyjnore fshihet në zemrën e njeriut.

Përderisa jeta është sfiduese, e më tregon errësirën në një botë që e kisha menduar si të ndritshme, familja është vendi i vetëm ku arrij të gjej siguri të plotë dhe, edhe pse e gjendur në mes të një askundi, me ngrohtësinë e familjes, arrij të shoh vendin ku unë i përkas.

Jo rrallë herë kam hasur në hapësira boshe mes meje dhe personave që më rrethonin. Por duke pare krenarinë e babait për vajzën, lotët e nënës për ato pak arritje që kisha bërë, ngacmimet e vazhdueshme të motrës, që ndonëse shpesh më nevrikosnin, në thelb ishin të ëmbla, arrita të shoh shumë gjëra.

Arrita të kuptoja se pse unë dua të shoh më larg, të depërtoj edhe më në thellësi të brendisë së kësaj bote dhe ta njoh atë në përmasat e saj reale nuk më jep të drejtën t’i shqetësojë të tjerët, e as t’u kërkoj atyre të veprojnë njësoj.

Kuptova se më mjafton familja, e cila, edhe pse tregohem e çuditshme, e shpesh e përhumbur është aty, jo për të më gjykuar, ashtu siç dinë të bëjnë më së miri njerëzit, por për të më mbështetur dhe për të më dhënë kurajo, atëherë kur unë veçse i dorëzohem jetës.

Tani që e mendoj, familja më del të jetë burim i buzëqeshjes sime, udhërrëfyes për një labirint siç është jeta, e një lapidari në mes të një errësire shpirtërore.

Në përballjen time ndaj kësaj bote të ashpër, me familjen unë jam e fortë!

LENDË GASHI

 

Gjimnaizi i Përgjithshëm «Don Bosko»

Vendi i tretë

Kodi: E039

Perceptimi i familjes në sytë e një adoleshenti

 

Jeta, një fjalë aq e thjeshtë, por që hapë dyert e botës më të gjerë njerëzore si vetë bota e të menduarit. Veçantia e kësaj bote është pikërisht diversiteti i saj, pasi çdo person krijon botën e tij të mendimeve ndryshe nga tjetri. Ca mbushin hapësirat e saj me trëndafilë e margaritarë, kurse ca të tjerë sfidohen nga valët e oqeanit të mendimeve negative. Por kjo është më e bukura e të qenit njeri, ti dallon nga tjetri.

Shumë njerëz e konceptojnë jetën e tyre si një rrugë me mbarim të largët, pasi shijojnë çdo moment të sajin, kurse ca të tjerë ndihen të lodhur nga barrierat e saj saqë gjunjëzohen para universit. Për mua kjo jetë është një mozaik që kërkon çdo ditë pjesëza për tu kompletuar, copëza aq të vogla, saqë shpeshëherë nuk u kushtojmë rëndësi, por për të arritur perfeksionin, gjithçka fillon nga më e thjeshta. Ndër copëzat kryesore të mozaikut tim është vetë familja ime, shoh shpeshherë shumë njerëz që kjo fjalë i irriton pasi vendosin prioritete tjera para familjeve të tyre, por sado që mundohesh të mbushësh mungesën e familjes në mozaikun tënd me gjëra tjera, është pikërisht kjo pjesë që nuk mund të mohohet pasi që përveç se i takon jetës tënde familja është ajo nga çka ti je i krijuar.

Ne lindim si foshnje të pagatshëm për botën e jashtme, ishin familja jote ata që të kapën nga krahët kur ti bëre hapat e parë dhe ishe gati për tu rrëzuar, ishin ata që kurrë nuk humbën durimin me orë të tëra vetëm që ti të haje një copëz buke, apo të mbyllje sytë dhe të pushoje. Janë ata që frymuan me ty nëpër gazin helmues të jetës, janë ata që të epërsojnë çdo ditë mbi veten dhe mbi të gjitha janë ata që të pranojnë për atë që ti je, pavarësisht mangësive të tua.

Të gjithë jemi të vetëdijshëm që adoleshenca është njëra nga periudhat më të bukura dhe njëkohësisht më të hidhura ndonjëherë. Të qenit adoleshent është sikur të jesh në kufirin e një etape të rëndësishme jetësore, është faza kur ti je në atë pikë të kufirit për të lëshuar fëmijërinë dhe të kalimit në “të qenit i rritur”, por nuk është e vështirë vetëm rruga e kalimit të këtyre dy botëve, ajo që është më sfiduese është pjesa doganore kur ti vendos se cilat bagazhe do të lësh pas dhe cilat momente do të marrësh me vete. Është një nga momentet kur akrepat ndalen për pak kohë, universi hapet dhe kërkon një “sepse” për çdo veprim tëndin deri më sot. I mbyllur në vetvete ti vë kokën në mur dhe e zvarrit me aq forcë sa ke vetëm që edhe trupi yt të jetojë të njëjtën dhimbje si shpirti yt dhe atëherë kur molekulat e tua veprojnë në mënyrë të çrregullt dhe shpirti e truri yt nuk arrijnë në një melodi të përbashkët, ti e kupton se nuk mund të jesh një lule e vetme në mesin e një xhungle si vetë jeta, andaj për të kaluar këtë furtunë të frikshme ti kërkon një njeri të vetëm për ta mposhtur edhe këtë frikë. E në këtë pikë shtrohet pyetja “I dashur adoleshent, ti që mendoje se zotëroje gjithçka vetëm se kishe ca shokë e shoqe që lajkatoheshin rreth teje, ti që ishe ‘i gatshëm’ të zotëroje botën vetëm se të tjerët ta bënin qejfin, ti që mendoje që ke arritur gjithçka vetëm se pasqyra jote të thoshte ashtu, a je ti i njëjti që po kalon këtë moment të hidhur dhe po kërkon përsëri prindërit e tu pavarësisht sa shumë thoshe se i urreje?”

Kjo pyetje retorike mund të kompletohet në atë moment kur ti I shikon sytë engjëllor të nënës sate që qan me muaj për ty dhe duart e brishta të babait tënd që punojnë çdo ditë për ty.

Pavarësisht kur, ku dhe kush jemi, duhet të jemi aq të ndërgjegjshëm të dallojmë në jetë të vërtetën nga iluzioni dhe prania e prindërve është gjëja më e domosdoshme, pasiqë ata jetojnë brenda nesh dhe shpeshëherë evidentojnë ndryshimet para se ne t’i vëmë re, dhe janë ata të vetmit që shpërndajnë me ty çelësat e të gjithë dyerve të ekuacioneve jetësore.

Prandaj, vlerëso familjen tënde pasi vjen momenti kur prezenca e tyre zëvendësohet me hijen e kujtimeve me ta, andaj urdhëro trurin tënd që të punoi në atë mënyrë të duhur për të krijuar kujtime me vlerë dhe mbi të gjitha një personalitet të duhur.