Me 12 qershor 2019, u organizua darka e fundvitit shkollor në QSE “Don Bosko”, darkë kjo tashmë tradicionale për stafin dhe bordin drejtues. Por kjo darkë nuk ishte e zakonshme si darkat tjera. Ishte darkë plot emocione, fjalë falënderuese, mirënjohje e mbi të gjitha ishte darkë lamtumirëse. Darka  e fundit me drejtorin, Don Izidor Lukić.

Darka u mbajt në ambientin e bukur të restaurantit “Shtëpia e Bardhë”, në bukurinë mahnitëse të qytetit të bukur të Prizrenit. Filloi me një fjalim prekës nga stafi, duke shkaktuar emocione të forta tek të gjithë të pranishmit, drejtuar drejtorit tashmë në largim, por që gjithmonë do ngelet pjesë e bukur e kujtimeve tona personale dhe profesionale. Nga ana e stafit drejtorit ju dha një dhuratë falënderimi për kontributin e tij në shkollë, si  shenjë respekti për çdo mund, sakrificë e djersë të derdhur për shkollën si institucion edukativo-arsimor dhe për stafin, për të cilin u tregua mik i pakushte.

Mbrëmja vazhdoi me këngë e humor deri në përmbylljen e saj, me një fjalim të shkurtër nga drejtori, i cili përgëzoi stafin për unitetin dhe punën që bëjnë, duke pasur kërkesë të vetme mbajtjen e kësaj fryme të gjallë brenda shkollës.

Duke shpresuar që ky takim të mos jetë i fundit, ne urojmë nga zemra më të mirat për Don Izidorin! Rikthimi i tij në vendlindje qoftë bekim për njerëzit me të cilët do të bashkëpunojë, ashtu siç ishte bekim e privilegj për ne!


Kategoria Lajmet , Ngjarjet e Rëndësishme