Mesazhi i hapjes së vitit të kremtimit të Dyqindvjetorit të lindjes së Don Boskos

 
 
 Don ÀNGEL FERNÁNDEZ ARTIME, Pasardhësi i X-të i Don Boskos
 
199 vite më parë, një ditë si sot, vinte në botë një fëmijë, Gjon Melkiore Bosko, pikërisht në këto kodra të njëjta, bir fshatarësh të thjeshtë. Sot ne, duke dashur të fillojmë Dyqindvjetorin e kësaj ngjarjeje historike, falënderojmë Hyjin për ndërhyrjen e tij të mrekullueshme në Histori, dhe akoma më në veçanti në këtë histori, e filluar mbi kodrat e Bekit.
Në nenin e parë të Kushtetutës së Kongregatës Saleziane deklarohet që “me ndjenjë të përvuajtur falënderimi besojmë se Shoqëria e shën Françeskut të Salezit ka lindur jo vetëm nga projekti njerëzor, por për nismë të Hyjit … Shpirti Shenjt ngjalli, me ndërhyrjen amënore të Marisë, shën Gjon Boskon.  Në të formoi një zemër prej ati e mësuesi, të aftë për një kushtim tërësor (…), dhe Kisha ka njohur në këtë veprën e Hyjit, mbi të gjitha duke miratuar Kushtetutat dhe duke shpallur shenjt Themeluesin”.
Karizma saleziane është një dhuratë që Hyji, nëpërmjet Don Boskos, i ka bërë Kishës dhe botës. Ai është formuar në kohë, që kur ishte ulur mbi gjunjët e Nënë Margaritës, pastaj me miqësinë e mësuesve të mirë jete dhe, në mënyre të veçantë, në jetën e përditshme mes të rinjve.
Sot gjendemi këtu si Familje e Don Boskos, Familja Saleziane, të shoqëruar nga shumë autoritete civile dhe kishtare, miq të Don Boskos, dhe të rinj. Në të njëjtat kodra që e kanë parë të lindë, po shpallim fillimin e kremtimeve të këtij Dyqindvjetori të lindjes së “atit dhe mësuesit” tonë, që do të ketë, si pikë arritjeje, pas tre vitesh përgatitje e një vit kremtimi, 16 gushtin e 2015-tës, kur do të festojmë dyqind vitet e pranisë së tij në Kishë dhe në botën mbarë, për të mirën e të rinjve.
Dyqindvjetori i lindjes së Shën Gjon Boskos është një vit jubilar, një “vit Hiri”, që dëshirojmë të jetojmë si Familje Saleziane me një ndjenjë mirënjohjeje ndaj Zotit, me një ndjenjë përvujtërie por edhe gëzimi të madh, të vetëdijshëm se ka qenë Zoti që na ka bekuar me këtë lëvizje shpirtërore apostolike shumë të bukur të themeluar nga Don Bosko nën udhëheqjen e Marisë Ndihmëtare, që sot quajmë “Familje Saleziane”.
Është një vit jubilar për më shumë së tridhjetë grupe që bëjnë pjesë në Familjen tonë të madhe, dhe për shumë të tjerë që, të frymëzuar nga Don Bosko, nga karizma e tij, nga misioni dhe përshpirtëria e tij, shpresojnë të hyjnë e të jenë pjesë e saj sa më parë.
Është një vit jubilar për të gjithë Lëvizjen Saleziane që, në mënyra të ndryshme, i referohet Don Boskos me nismat e saja, veprimet, propozimet, e në ecjen e saj bashkëndanë përshpirtërinë dhe përpjekjen për të mirën e të rinjve, në mënyrë të veçantë për ata më në vështirësi.
Ky Dyqindvjetor duhet të jetë për të gjithë ne, dhe në mënyre të veçantë për botën saleziane, jo vetëm një moment feste pa referime trashendentale, por një rast i volitshëm që na ofrohet për të shikuar të shkuarën me mirënjohje, të tashmen me shpresë, dhe për të ëndërruar të ardhmen e misionit ungjillëzues e edukues të Familjes sonë Saleziane me forcë dhe risi ungjillore, me guxim dhe vizion profetik, duke lejuar që të udhëhiqemi nga Shpirti që gjithmonë do të na jetë afër në kërkimin e Hyjit. Besojmë se ky Dyqindvjetor do të jetë një mundësi e vërtete ripërtëritjeje shpirtërore e baritore për Familjen tonë, një mundësi për ta bërë më të gjallë karizmën e më aktual Don Boskon, siç ka qenë gjithmonë për të rinjtë. Besojmë se do të jetë një mundësi për të jetuar me bindje të ripërtërirë dhe me forcë Misionin që na është besuar, gjithmonë për të mirën e fëmijëve, të adoleshentëve dhe të të rinjve në të gjithë botën, në mënyrë të veçantë për ata që kanë më shumë nevojë, për më të varfrit dhe më të dobëtit.
Dyqindvjetori do jetë një kohë në të cilën, si Familje Saleziane, do vazhdojmë, sipas shembullit të Don Boskos, ecjen tonë drejt periferive fizike dhe njerëzore të shoqërisë dhe të të rinjve. 
Siç ishte edhe me Don Boskon, viti i Dyqindvjetorit që kremtojmë, dhe ecja që do bëjmë më pas, duhet të jetë për të gjithë ne, Familja Saleziane, një kohë në të cilën duhet të mbartim me përulësi të madhe atë që është pjesë thelbësore e karizmës sonë: angazhimin tonë për të lexuar realitetin shoqëror, mbi të gjitha atë rinor, që sot na përfshinë; angazhimin tonë, me qëllime të qarta, në të mirën e të rinjve të lënë mënjanë apo që janë në rrezik që të jenë të tillë; feja dhe besimi ynë i plotë në ata, në çdo djalë dhe vajzë, në mundësitë dhe aftësitë e tyre; siguria jonë në mirësinë e zemrave të tyre, cilado qoftë e shkuara e tyre, duke u bërë të njohur mundësinë që kanë për të qenë zotërues dhe protagonistë të ëndrrave të tyre, duke ju qëndruar afër nëse na e lejojnë, për të zhvilluar në maksimum talentet, thirrjen e tyre të plotë njerëzore dhe të krishterë.
Në fund, ky Dyqindvjetor duhet të jetë edhe një kujtim për shumë gra e burra që kanë marrë pjesë me pasion të madh në këtë projekt, të filluar nga Hyji në Don Boskon, në mënyrë heroike, edhe duke dhënë jetën për këtë ideal, në kushte shpesh të vështira dhe ekstreme tipike të disa vendeve të botës, dhe për këtë janë një triumf, një thesar i paçmueshëm që vetëm Hyji e di se sa vlen me të vërtetë.
Me këto bindje, ndihemi më të nxitur jo vetëm për të admiruar Don Boskon, jo vetëm për të perceptuar aktualitetin e kësaj figure të jashtëzakonshme, por edhe për të ndjerë me forcë të pashmangshme angazhimin për ta imituar atë që, nga këto kodra, arriti deri në periferinë e Valdokos, dhe edhe në periferinë rurale të Mornezës, për të përhapur me vetveten dhe me persona të tjerë dëshirën e kërkimit të së mirës së të rinjve dhe që secili nga ata djem apo vajza të mund të ishte i lumtur tani e në Përjetësi.
Nga kjo kodër e Bekit shpallim të hapur vitin e Kremtimit të Dyqindvjetorit të Lindjes së Don Boskos.
Don Bosko, nga Qielli, na bekoftë dhe na dhuroftë hirin që të jetë konkret angazhimi ynë për rininë dhe bëftë të mundshme që kjo ëndërr e jona të bëhet realitet.
DYQINDVJETOR TË MBARË TË GJITHËVE