Gjimnazi i Përgjithshëm Don Bosko
është hapur bazuar në vizionin për krijimin e një shkolle bashkëkohore sipas standardeve të avancuara duke ndërmarrë hapa të gjithanshëm dhe praktik në gjitha fushat e veprimit. Ne synojmë të ndryshojmë pikëpamjet në procesin e ndërtimit të individit me një vizion të qartë për të ardhmen e tij dhe të vendit tonë. Kjo krijon parakushtet e nevojshme për integrimin e individit dhe të shoqërisë në lëvizje politike, në zhvillimet ekonomike, intelektuale, shkencore e teknologjike dhe në zhvillimet social-kulturore të vendeve të përparuara evropiane dhe botërore.
Zhvillimi i Planit dhe programit mësimor mbështetet mbi bazën e një procedure të mirëfilltë shkencore, si nga forma, qasja metodologjike, organizimi dhe ndërtimi i përmbajtjes së lëndës, ashtu edhe nga parashtrimi i rezultateve të të nxënit, mjetet mësimore, metodat, teknikat dhe instrumentet e vlerësimit.
Vëmendje të veçantë gjatë zhvillimit të planeve dhe programeve mësimore i kushtohet kultivimit të qëndrimit pozitiv ndaj nxënit, inkurajimit të nxënësve që të angazhohen në mënyrë të arsyeshme në përmbushjen e kërkesave shkollore, zhvillimit të shkathtësive në jetën e përditshme, vlerave, qëndrimeve dhe sjelljeve. Nxënësit gjatë tërë shkollimit të mesëm të lartë vihen përballë njohurive akademike, bazave shkencore dhe sferave të ndryshme kulturore.
Qëllimi i planprogramit të Gjimnazit të Përgjithshëm është:
• T’u mundësojë zhvillimin intelektual, estetik, fizik, shoqëror, moral dhe shpirtëror të nxënësve:
• Të sigurojë për nxënësit orientim të drejtë profesional dhe kampatibil me realizimin e interesave të tyre personale për plotësimin e aspiratave përmes nxënies;
• T’u mundësoj nxënësve shfrytëzimin e burimeve të shumta për sigurimin dhe përpunimin e informacioneve dhe për zhvillimin e një qasjeje kritike ndaj informacioneve dhe fakteve që u ofrohen;
• Konsolidimin e diturive, ngritjen dhe orientimin e prirjeve dhe të shkathtësive në ndërtimin e të ardhmes së tyre;
• T’u mundësojë nxënësve në mënyrë të pavarur të marrin iniciativë dhe veprim, gjithnjë duke pasur parasysh rregullat themelore të sjelljes në grup, varësisht prej llojeve të ndryshme të veprimtarive që zhvillojnë;
• Nxënësit me prirje dhe talent për profesionin të përgatiten dhe të orientohen me kujdes përmes mënyrave të ndryshme të nxënies, duke perfillur interesimet dhe nevojat e tyre për tregun e punës dhe zhvillim akademik e profesional.