Teknik i Telekomunikacionit

Kompetenca Profesionale

Teknikët e telekomunikacionit i instalojnë, i mirëmbajnë dhe i riparojnë aparatet dhe pajisjet e telekomunikacionit. Ata punojnë në rrjete dhe në instalime telefonike etj.

Ata i rregullojnë aparatet dhe pajisjet e telekomunikacionit, i kthejnë në gjendje të mëparshme dhe i ndërrojnë komponentët e veçanta. Përveç kësaj, ata instalojnë dhe kontrollojnë kabllot dhe përçuesit e telekomunikacionit. Ata i vënë në punë këto aparate dhe pajisje, i këshillojnë klientët dhe i ushtrojnë e kujdesen për përdoruesit e aparateve e të pajisjeve të telekomunikacionit. Teknikët e telekomunikacionit i lexojnë skemat elektrike dhe i krijojnë edhe vetë ato. Ata kërkojnë gabimet e defektet dhe i lokalizojnë e mënjanojnë ato me anë të aparateve matëse digjitale dhe kontrolluese. Ata i lexojnë dhe i hartojnë vizatimet e punës, përdorin aparate speciale për matje dhe i përpunojnë materialet me mjete speciale të punës. Ata bashkëpunojnë me kolegët e profesionit të tyre dhe të ndërmarrjeve përkatëse dhe mbajnë kontakte me klientë, si dhe asistojnë në projektimin, udhëheqjen e operimin e sistemeve dhe të rrjeteve të telekomunikacionit.
Teknikët e telekomunikacionit kanë një shkallë të mjaftueshme të arsimimit të përgjithshëm, e cila atyre u mundëson të vazhdojnë studimet në shkollat e larta dhe në fakultete të drejtimeve të elektroteknikës.

Punët dhe detyrat kryesore të “teknikut të telekomunikacionit” janë:

• të instalojë, të mirëmbajë dhe të riparojë aparatet dhe pajisjet e telekomunikacionit;
• të shtrijë, të lidhë e të kontrollojë përçuesit dhe kabllot e telekomunikacionit;
• të organizojë dhe të mbikëqyrë e montojë linjat dhe kabllot e telekomunikacionit;
• të ndërtojë rrjetin e përdoruesve;
• të montojë antenat dhe sistemet e antenave;
• të organizojë punët në ndërtimin e instalimeve dhe të rrjeteve të telekomunikacionit;
• të montojë pajisjet dhe sistemet e telekomunikacionit në terren;
• të sigurojë mbarëvajtjen e funksionimit të rrjeteve të telekomunikacionit;
• të operojë dhe të mirëmbajë sistemet e telekomunikacionit;
• të mirëmbajë centralet telefonike;
• të rregullojë dhe të ndërrojë aparatet dhe pajisjet e telekomunikacionit;
• të këshillojë klientët në shtëpi dhe në ndërmarrje të tyre;
• të programojë pajisjet telefonike;
• të kërkojë, lokalizojë e mënjanojë gabimet e defektet me anë të aparateve matëse digjitale e kontrolluese;
Mundësitë e Studimit
Teknikët e Telekomunikacionit kanë një shkallë të mjaftueshme të arsimimit të përgjithshëm, e cila atyre u mundëson të vazhdojnë studimet në fakultete :
• Inxhinerike të Informatikës
• Inxhinerike të Elektroteknikës
• Inxhinerike të Telekomunikacionit
• Departamenti I Matematikës (Shkenca Kompjuterike).
• Menaxhim Biznesi me Informatikë dhe fakulteteve tjera.