Gjimnazi i Shkencave Shoqërore dhe Gjuhësore

Fokusi kryesor i këtij drejtimi është që nxënësve t’ua mundësojë zhvillimin dhe zbatimin e aftësive të komunikimit në përdorimin funksional dhe efektiv të gjuhës, pasurimin e fjalorit, avancimin e aftësive njohëse, kritike dhe kreative, të cilat duhet të vihen në shërbim të përvetësimit të njohurive të shkencave shoqërore. Tërësia e njohurive që merren nga lëndët shoqërore do t’i ndihmojë nxënësit për të kuptuar, analizuar dhe vlerësuar konceptet, idetë, proceset dhe ndryshimet historike e shoqërore, lindjen dhe zhvillimin e qytetërimeve, strukturat shoqërore e mjedisore, si edhe ngjarjet dhe rolin e personaliteteve të shquara gjatë historisë në nivel lokal, shtetëror, kombëtar, rajonal, evropian dhe botëror.

Njohuritë në këtë fushë u ndihmojnë nxënësve për t’u thelluar në të kuptuarit mbi individin dhe shoqërinë, vendet dhe mjedisin. Këto njohuri ndikojnë pozitivisht në krijimin e shprehive, vlerave, qëndrimeve dhe gjykimeve në raport me diversitetin kulturor, identitetin social e psikologjik, trashëgiminë kulturore e natyrore, organizimin shoqëror, liritë dhe të drejtat e njeriut, si dhe rolin dhe funksionimin e institucioneve demokratike.