Në Qendrën Social-Edukative “Don Bosko”, u festua Festa e Abetares.
Nxënësit e klasëve të para ishin të entuziazmuar për këtë ditë, por hiç më pak se nxënësit ishin edhe mësuesit e tyre.
Fillimisht, programin e hapi Përgjegjësi i Shkollës Fillore, Don Pavlin Zefi, me disa batuta dhe sigurisht, duke shprehur gëzimin që prindër, gjyshër e gjyshe kishin ardhur të ndanin këto çaste të rëndësishme me vogëlushët tanë. Pastaj fjala kaloi tek Drejtori i Qendrës, Don Izidor Lukić, i cili me buzëqeshje uroi mirëseardhje për musafirët dhe suksese e shumë urime për nxënësit e klasëve të para.



Programi vazhdoi me një recital të gjatë e të bukur, të përgaditur nga nxënësit me ndihmën e mësuesve të tyre. Pas recitalit u performua aq bukur dhe hareshëm Kënga e Abetares. Poezitë për shkronjat nuk munguan, e pastaj katër çifte fëmijësh vallëzuan një vals të bukur. Programi vazhdoi me poezi për figurat gjeometrike, për t`i lënë radhën pastaj vjershës dedikuar numrave. Pas këtyre vjershave të mrekullueshme, nxënësit nën dirigjimin e mësueses Selvie, kënduan një këngë në kor. Muajt dhe stinës nuk kishin se si t`i mungonin këtij programi, prandaj edhe për ata u thuren vargje të shumtë.

Pasi kur u tha se do ekzekutohej dhe pika e fundit e programit, Don Pavlini lajmëroi se kishin një befasi për mësuesen dhe mësuesin e klasëve të para: një poezi katër strofash dhe buqeta me lule. Të dy ishin aq të emocionuar dhe të befasuar, saqë arritën të thonin vetëm disa fjalë drejtuar drejtorit dhe fëmijëve, duke shprehur dashurinë ndaj vogëlushëve dhe kënaqësinë që përjetojnë çdo ditë pune me ta. Programi u mbyll me një valle popullore dhe pastaj një vallëzim argëtues.

Në fund fare, për musafirët dhe fëmijët ishte pergaditur edhe një koktej.

Gjithsesi, ne urojmë nga zemra vogëlushët e shkollës; URIME FESTËN E ABETARES!


Kategoria Ngjarjet e Rëndësishme , Shkolla Fillore