Sot, më 6 maj 2022, u organizua Festa e Ditës së Shkollës. Edhe pse festa zyrtare e Shkollës është data 31 janar, Ne në pamundësi që ta organizojmë festën në atë datë për shkak të masave të kundër Pandemisë, megjithatë arritëm që ta organizojmë në këtë datë e cila përkon me një person shumë të veçantë, i cili ishte fryti më i mirë i Shën Gjon Boskos, Shën Dominik Savio.

Festa filloi me intonimin e Himnit Kombëtar dhe atij të Kosovës, hyrje kjo e mrekullueshme ku të gjithë sa ishin prezent i këndonin më një zë.

Pas intonimit të Himneve, filloi programi kulturo-artistik, program ky i përgatitur me shumë dashuri dhe përkushtim nga Stafi i Shkollës.

Siç e do rendi, fjalën përshëndetëse e mbajti drejtori i Qendrës, don Domininik Qerimi. Në fjalën e tij, Ai përshëndeti të gjithë të pranishmit, me theks të veçantë, Imzot Dod Gjergjin, Monsinjor Zef Gashin, përfaqësuesit e Ministrisë së Arsimit, Komunës së Prishtinës, Karabinierëve, Policisë së Kosovës, Forcës së Sigurisë së Kosovës  si dhe një përshëndetje e përzemërt ishte për Prindërit dhe Nxënësit e Shkollës sonë.

Në fjalën e tij, Drejtori theksoi rëndësinë e arsimimit dhe edukimit për një shtet të qëndrueshëm, dhe mbi këtë premisë Shkolla jonë është duke e dhënë maksimumin që gjeneratat e reja të jenë gjenerata të cilat kontribuojnë në zhvillimin e Shtetit.

Ai falënderoi të gjithë stafin për përkushtimin e tyre në funksion të edukimit dhe arsimit.

Pas Drejtorit fjalën e mori Ipeshkvi i Ipeshkvisë së Kosovës, Imzot Dodë Gjergji. Ai përshëndeti të pranishmit dhe i falënderoi për një organizim kaq madhështor.

Në fjalën e tij Ai theksoi se një Shtet pa arsim cilësor, nuk ka të ardhme, andaj angazhohuni që vetëm e vetëm me cilësi e devotshmëri t’i edukoni të rinjtë ashtu siç e kishte bërë edhe Don Bosko.

Pas fjalimeve filloi programi kulturo-artistik. Fillimisht nën dirigjimin e profesoreshës Selvie Marteti dhe nën përcjelljen me klarinetë të nxënësit Korab Rraci, nxënësit e Shkollës së Mesme interpretuan këngën Tumankuqe.

Pas këtij interpretimi të shkëlqyer, nën dirigjimin profesoreshës Teuta Kurti Luta, nxënësit e Shkollës Fillore dhe të Mesme te Ulët, interpretuan këngën Luleborë.

Nxënësit e klasave të katërta, kishin përgatitur një pikë skenike me titull “Shtëpia Jonë”, të cilën ia kishin kushtuar mbrojtjes së ambientit.

Si të mungonte në program edhe vallëzimi modern, djem dhe vajza të mrekullueshëm bënë një vallëzim të bukur.

Pas vallëzimit, radhën e kishte një pikë e veçantë, interpretimi i këngës “Valsi i lumturisë” nga këngëtarja e mirënjohur dhe profesoresha jonë Teuta Kurti Luta, nën përcjelljen e një personi të veçantë, maestros Valton Beqiri i cili na nderoi më pjesëmarrjen e tij.

Programi vazhdoi me shpërndarjen e kupave për ekipet fituese të turnirëve ne Futboll, Basketboll dhe Volejboll.

Një pikë tjetër po ashtu shumë e veçantë ishte interpretimi i poezisë “Unë jam poet i këtij shekulli”, poezi kjo e shkruar nga profesoresha jonë e Gjuhës Shqipe, Afërdita Haliti, të cilën me emocion të paparë e interpretoi nxënësi Blend Beqa.

Një zë i mrekullueshëm nga nxënësja jonë Elena Halili, e interpretoi këngën “Stand Up”.

Në fund fare radhën e kishte Vallja Popullore, këtë vit ishte përzgjedhur Vallja e Drenicës të cilën valle nxënësit tanë e luajtën në mënyrë të mrekullueshme.

Pas programit, për mysafirët ishte përgatitur një koktej rasti.

Të gjithë juve që ishit të pranishëm dhe atyre që me zemër e me mendje ishin sot me Ne, nga zemra ju falënderojmë.

Mirë u pafshim në festa tjera.


Category: Lajmet , Ngjarjet e Rëndësishme

Publikuar më: 06/05/2022