Më poshtë gjeni tri esetë fituese të Garës Letrare të organizuar nga Q.S.E. “Don Bosko” – Prishtinë për të gjitha shkollat e mesme të Prishtinës.

JANAR, 2016

MAGJIA E FJALËS

Të shtypur nga të katër anët dhe të kërcënuar me vdekje për thënien e vetëm një fjale nga brendësia. Të palirë të zgjedhim mes asaj që duam dhe asaj që jemi të detyruar të themi. Të mësuar të heshtim edhe atëherë kur duhet të flasim, akoma ngurrojmë të themi të vërtetën për të mos u përballur më fuqinë e fjalës.
Jemi bërë si të humbur. Të vdekur që ecin mbi dhe. Të lindur të aftë dhe të shndërruar në shurdhmemecë që s’flasin e s’dëgjojnë. Të verbër qoftë edhe për të parë magjinë që mund të krijojë edhe e vetme një fjalë. Përse shtrënguam heshtjen si të vetmin gurë të argjendë? A nuk janë fjalët ar dhe diamant? Bota a do të kishte kuptim, sikur ato të mungonin? Po mendojmë diçka , e po themi diçka tjetër. Fjalët e vërteta po i varrosim nëpër shkrimet peronale, ndërsa ato të përgënjeshtruara i lëmë të dalin nga goja jonë dhe të fluturojnë të lira, duke lënë shenja në mendjet e secilit. Do doja të dija nëse besoni tek e magjishmja. Edhe po të thoni jo, me siguri të plotë e di që po gënjeni. Brenda thellësisë së secilit ekziston një copëz magjie. Të bindur jeni edhe ju. Ekziston një urë lidhëse mes të dukshmes dhe të padukshmes, reales dhe ireales. Një urë që s’ndërtohet, por thjesht ekziston. Urë të cilën s’mund ta shmangë askush, sepse është e vendosur tek secili. Edhe tek ai që s’beson në fuqinë e saj. Është e vetmja urë që të bën të shprehësh të pashprehurën. E vetmja urë e njohur nga të gjithë, e pagëzuar me emrin fjalë. Ju duket për të qeshur? Sigurisht, qeshni. Pastaj, ju lutem ndaluni dhe mendoni vetëm për një çast, të papreokopuar nga askush përveç vetvetes. Jeni ndier ndonjëherë të lënduar nga një fjalë që u aka thënë dikush? Keni preferuar të vdisnit sesa ta dëgjonit atë fjalë? Ju ka brerë diçka nga brenda sepse nuk e keni thënë të vërtetën? Keni qenë të mërzitur dhe vetëm një fjalë u aka kthyer buzëqeshjen? Keni dëgjuar një falenderim për një gjë të vogël? Keni marrë përshëndetje edhe nga dikush që nuk e prisnit? Keni dëgjuar fjalë falëse nga ai që ke lënduar,apo fjalë faljeje nga ai që të ka lenduar? Nuk po qeshni më? Është sepse tani e kuptuat se ku doja të dilja dhe se për ç’magji e kisha fjalën. Tani e di që besoni në të. E di që do të bëheni pjestarë të minatorëve në minierën e fjalës. Do të gjeni shumë gurë të çmueshëm dhe e vetmja punë e juaja do të jetë t’I klasifikoni. Do të bëheni bjeshkatarë dhe do të dëgjoni jehonat e zërit të njëri-tjetrit. Do të bëheni këngëtarë dhe përmes do të jetoni. Çdo tingull do e organizoni me maturi,sepse e dini që magjia e fjalës mund të të vret më shumë se një plumb dhe në të njejtën mënyrë të të ngritë në qiellin e shtatë. Sa me fat që jemi! Përmes fjalës mund të rregullojmë çdo gjë edhe kur përmbysim gjithçka.
Herët apo vonë do e kuptojmë të gjithë këtë magji. Do jemi të vetdijshëm që ka fuqinë të të mbysë në ujërat e cekëta dhe të të lejojë të notosh nëpër thellësitë e oqeaneve. Se a është heshtja privilegj apo thjesht një iluzion torturues mbetet të kuptojmë kur të zbulojmë të magjishmen e fjalës. Atëherë kur të kuptojmë se askush s’ka bërë gabim më të madh sesa ai që mund të bënte diçka dhe heshti e nuk tha asgjë.

AUTORE: GABRIELA MIRAKAJ (GJIMNAZI I PËRGJITHSHËM “DON BOSKO”-PRISHTINË)

MAGJIA E FJALËS

U zgjua në mëngjes. Përsëri kishte përjetuar makthin e njejtë. Nuk dinte dhe sa do të zgjaste kjo gjendje. U ngrit nga shtrati dhe bëri përgatitjet e zakonshme. Piu një gotë me ujë, mendoi që do ishte lubrifikuesi ideal që do e ndihmonte në përmirësimin e punës së trurit. Dëshironte të analizonte shkaqet dhe të zbërthente problemin që e rrethon me një kthjelltësi të lartë. Kishte humbur nocionin kohë, por i ra në të se vazhdonte të kishte pushim. Dëshiroi të largohej sa më shpejtë nga kthetrat e tmerrshme të rutinës, që e kishin kapluar gjatë gjithë javës. Doli në rrugë. Hidhte hapat me nxitim. Ndonëse njihet si cilësi e atyre që kanë vetëbesim të lartë, ai e dinte se ishin shkaqe të tjera të kontrolluara nga subkoshienca që e bënin të ecte me këtë intensitet. Thjeshtë, nuk dëshironte të fuste në listë shkatërrimin e nervave nga zhurma që mbizotëronte në qytet.
Filloi të reflektonte. Mendoi se do çante pluhurin e harresës dhe do nxirrte nga skutat më të thella të memories çaste nga ajo ditë. Priste që të ringjalleshin si feniks stimujt që do e ndihmonin të ndriqonte situatën e tij, por më kot.
Të vetmet gjëra që pluskonin në vetëdijen e tij ishin emocione të forta që i ngjallnin frikë dhe i humbnin çdo shpresë se do arrinte të realizonte dëshirën e tij, gjetjen e fjalëve magjike, të përsosura, që do e ndihmonin të mos humbiste përgjithmonë vajzën që dashuronte marrëzisht.
I davariti shpejtë mendimet negative dhe mblodhi veten. U bind më në fund. Nuk do e mendonte dy herë. Po ngriste flamurin e bardhë. Do kalonte nga shtëpia e saj medoemos. Në patos të veprimit i dukej se ka aftësi t’i ndërlikojë gjërat e thjeshta. U gjend tek porta e saj, dhe trokiti me gjithë fuqinë. Priti ca çaste që i zgjatën si shekuj. Ajo hapi derën. Vërejti se çfarë kishte bërë mund të quhej çdo gjë përpos e thjeshtë. Nuk nevojitej inteligjencë e lartë të kuptonte këtë. Ajo ishte ende e zbehur në fytyrë me sy të mufatur nga lotët, që pasqyronin trishtim. Fjalët kishin qenë më helmuese se plumbi, ndryshe ajo nuk do të katandisej në atë formë. Jo kot thanë, është mirë të flasësh vetëm kur ajo që thua do të jetë më e vlefshme se heshtja. Arsyetonte se artikulimi i tingujve ishte ndikuar nga nervosa, por disponimi i tij ishte rregulluar, kurse fjalët smund t’i tërhiqte.
Fjalët janë pasqyra e zemrës tonë, ndaj duhet pasur kujdes të mos i helmojmë me dërdëllitje, vulgarisht… Tani të paktën do tentonte të zbuste vrazhdësinë e tyre.
“Më fal, të lutem!”, shprehi më magjike që kanë ekzistuar ndonjëherë. Mbase kishte ende shpresë. Besoj se forca titanike, e paimagjinueshme, e fjalëve magjike, së bashku me sinqeritetin e shqiptimit të tyre, do arrinte të zbuste si balsam çdo tension të krijuar.

AUTOR: BUTRINT BEQIRI (GJIMNAZI “SAMI FRASHËRI”)

MAGJIA E FJALËS

Në rrugën e gjatë dhe ëndërrimtare të jetës, shumë herë u rrëzova, lëndova dhe në fund prapë u shërova në shoqërinë e magjisë së fjalës. Fjala diçka e shkurtër vetëm pesë tinguj, por ama tinguj që të bëjnë të futesh thellë në magjinë e tyre. Tinguj që zgjojnë të paralizuarin nga karroca dhe i mundësojnë të mbështetet dhe të lëshohet fort në ëndërrat e veta. Tinguj, por tinguj që edhe atëherë kur një i verbër nuk sheh pëllumbat tek sapo fluturojnë, por ndjen përplasjen e krahëve të tyre. Dhe ju thotë: Fluturoni o pëllumba dhe shijoni lirinë e horizontit. Pastaj magjia e fjalës të mbështetë fort dhe të thotë: Ndjeje veten të fuqishëm, në magjinë e fjalës liri. Sepse ne njerëzit jemi të lindur të arsyeshëm në lirinë e arsyes. Kape fluskën e ëndërrave dhe thuaj: unë shoh veten në realizimin e ëndërrave të mia, shoh botën të pastër pa asnjë njollë dhe shoh veten në magjinë e fjalës. Andaj, mbledh një top të magjishëm me fjalë plot ngjyra. Dhe gjatë udhëtimit tuaj me trenin e jetës: shëro zemrat, zemrat e pashëruara, njerëzit krahëmbledhur, zemërthyer dhe të heshtur. Ngushëllo të pangushëlluarin, njerëzit shpirtëvuajtur dhe me shpresë të vrarë.
Sepse fjalët më të magjishme në jetë janë, jeto dhe shpreso. Udhëto në jetë dhe tregoje kuptimin e jetës dhe mësoju të tjerëve kuptimin e të jetuarit. Pranoje jetën ashtu sfiduese dhe pranoji njerëzit ashtu siç janë me të gjitha të mirat dhe mangësitë e tyre. Ndryshoji ata në shoqërinë e tingujve të fuqishëm të “Fjalës së Magjishme”.

AUTORE: SHKURTA BREGOVINA (SH.M.E.J. “H. KADRI PRISHTINA”)