Provimi i Maturës Shtetërore është vlerësim i arritjeve, njohurive, shkathtësive dhe aftësive të nxënësve, të cilat nxënësit i kanë fituar gjatë arsimimit të tyre parauniversitar në përputhje me Kurrikulën e Republikës së Kosovës.

Provimit të Maturës Shtetërore mund t’i nënshtrohen të gjithë kandidatët që i plotësojnë kushtet e përcaktuara me Ligjin Nr. 05/L – 018 (Ligji për Provimin e Maturës Shtetërore), përkatësisht kandidatët që kanë përfunduar me sukses shkollimin e mesëm të lartë (brenda apo jashtë vendit), përfshirë edhe kandidatët me nevoja të veçanta dhe kandidatët nga arsimi për të rritur.

Pragu i kalueshmërisë në Provimin e Maturës Shtetërore është 40% e totalit të pikëve të mundshme. Vetëm kandidatët që e arrijnë këtë prag kalueshmërie mund të aplikojnë për regjistrim në studime në institucionet e arsimit të lartë në Kosovë.

Provimi i Maturës Shtetërore 2020 do të mbahet të shtunën, më 29 gusht 2020, në QSE “Don Bosko”, në të njëjtën kohë për të gjithë kandidatët. Duke marrë parasysh situatën me pandeminë, në përputhje me rekomandimet e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), provimi i maturës do të organizohet në atë mënyrë që të ketë numër sa më të vogël të kandidatëve brenda një qendre të testimit dhe brenda klasave të testimit.

Provimi i Maturës Shtetërore 2020 do të mbahet brenda një dite për të gjitha lëndët dhe për të gjithë kandidatët. Testi do të ketë gjithsej 100 kërkesa (pyetje, detyra), nga 25 kërkesa për secilën nga katër lëndët e përfshira dhe do të zgjasë 150 minuta. Në test do përfshihen tri lëndët obligative (gjuhë amtare, gjuhë angleze dhe matematikë) dhe një lëndë zgjedhore (që përzgjidhet nga vet kandidati nga mesi i lëndëve zgjedhore që do të ofrohen).

  

INFORMATA DHE RREGULLA TË PËRGJITHSHME

Paraqitja e provimit të maturës bëhet në shkollë nga kandidati, i cili me këtë rast duhet të ketë certifikatën e lindjes, dëftesat e klasave 10, 11, 12 dhe diplomën e shkollës së mesme të lartë (maturantët e këtij viti shkollor 2019-2020 të gjitha këto dokumente i ka në dosje në shkollën e vet, ndërsa maturantët e viteve të kaluara dhe kandidatët nga arsimi për të rritur duhet t’i sjellin këto dokumente me vete).

Me rastin e plotësimit të formularit për paraqitje të provimit të maturës kandidati duhet ta përzgjedhë lëndën zgjedhore, nga lista e lëndëve zgjedhore që ka në dispozicion (shih më poshtë listën e lëndëve zgjedhore në dispozicion). Kandidatët duhet ta marrin me vete ditën e testimit formularin e paraqitjes së provimit të maturës.

Ditën e testimit të gjithë kandidatët duhet të kenë me vete dokument zyrtar të identifikimit apo dokument identifikues të lëshuar nga shkolla (dokumenti duhet të jetë me foto dhe i vulosur nga shkolla). Asnjë kandidat nuk do të lejohet të hyjë në testin e maturës pa dokument identifikues.

Ditën e testimit të gjithë nxënësi kandidatët duhet të marrin me vete laps grafit HB (jo kimik), meqë përgjigjet do të lexohen në mënyrë automatike nga lexuesi optik (i cili kërkon që Fletëpërgjigjja të plotësohet me laps HB).

Ditën e testimit kandidatët e kanë të ndaluar të marrin me vete çfarëdo telefoni, pajisje apo mjeti që mund të përdoret për komunikim, qasje në internet, fotografim, kopjim, shpërndarje apo për ndihmë tjetër gjatë mbajtjes së testit. Kushdo që merr me vete pajisje apo mjete të tilla nuk do të lejohet të futet në Qendrën e Testimit.

Kandidatët që kanë ndonjë nevojë të veçantë apo vështirësi të caktuar (fizike, intelektuale, në të parë, në dëgjim, e të ngjashme) duhet ta informojnë me kohë shkollën në momentin e paraqitjes së provimit të maturës për këtë, në mënyrë që të planifikohet ndihma e nevojshme në përputhje me këto nevoja apo vështirësi të kandidatit.

Preferohet që ditën e testimit të gjithë kandidatët të kenë me vete nga një shishe me ujë, meqë nuk do të ofrohet ujë në qendrat e testimit.

Preferohet që kandidatët të flenë mjaftueshëm natën para testimit dhe të jenë të pushuar ditën e testimit.

RREGULLAT QË LIDHEN ME MBROJTJE NGA COVID 19

Gjatë gjithë kohës që janë në qendrën e testimit (në ambientet e jashtme dhe të brendshme), të gjithë kandidatët janë të detyruar që:

– Të mbajnë maskë, duke mbuluar gojën, hundën dhe mjekrën.

– Të mbajnë distancë 2 metra me të gjithë personat e tjerë.

 – Gjatë teshtitjes ose kollitjes të mbajnë të mbuluar gojën dhe hundën me këndin e bërrylit.

 – Të kenë me vete faculeta letre, të cilat mund t’ju duhen në rast të teshtitjes, kollitjes, dezinfektimit apo pastrimit të duarve.

– Të dezinfektojnë duart me rastin e hyrjes në klasë dhe daljes nga klasa (dezinfektuesi do të jetë i vendosur në klasë).

– Të zbatojnë të gjitha rregullat dhe rekomandimet tjera që kërkohen nga personat zyrtarë të qendrës së testimit, të angazhuar për mbarëvajtjen e provimit të maturës shtetërore.

 – Të zbatojnë të gjitha rekomandimet e IKSHPK-së që kanë të bëjnë me mbrojtje nga Covid 19.

 Kushdo që nuk i respekton rregullat për mbrojtje nga Covid 19 do të largohet nga qendra e testimit dhe nuk do të ketë mundësi t’i nënshtrohet provimit të maturës në këtë afat.

 

ORGANIZIMI KOHOR PËR DITËN E TESTIMIT

Ditën e testimit kandidatët dhe administratorët duhet t’i përmbahen orarit të prezantuar në tabelën në vijim:

 

RREGULLAT ME RASTIN E FUTJES NË QENDRËN E TESTIMIT

Të gjithë kandidatët duhet të jenë me kohë në Qendrën e Testimit, sipas orarit të shpallur (më sipër). Vonesa mund të rezultojë me humbje të mundësisë për të hyrë në test.

Me rastin e hyrjes në oborrin e Qendrës së Testimit kandidatët duhet të ruajnë distancën 2 metra nga personat e tjerë.

Me rastin e hyrjes brenda Qendrës së Testimit kandidatët i nënshtrohen kontrollit nga zyrtarët përgjegjës në hyrje të Qendrës së Testimit.

Pas hyrjes brenda Qendrës së Testimit kandidatët shkojnë në Klasën e Testimit ku janë të caktuar.

Me rastin e hyrjes në Klasën e Testimit kandidati duhet t’i dezinfektojë duart (dezinfektuesi do të jetë i vendosur në klasë). Njëjtë veprohet edhe kur kandidati del nga Klasa e Testimit.

Në Klasën e Testimit vendosja bëhet vetëm nga një kandidat për bankë (klasa do të ketë maksimum 12 kandidatë/banka, përkatësisht 3 kolona x 4 banka).

Kandidatët e kolonës së djathtë dhe të majtë duhet të ulen me karrigen e tyre në skaje të bankës (afër murit), ndërsa kandidatët e kolonës së mesme duhet të ulen me karrigen e tyre në mes të bankës.

Kandidatët duhet të kenë së paku 2 metra distancë nga njëri-tjetri në secilin drejtim.

Në klasën e testimit secili kandidat duhet ta paraqesë dokumentin e identifikimit, në mënyrë që të identifikohet dhe konfirmohet nga Administratori.

 

RREGULLAT GJATË MARRJES SË UDHËZIMEVE PËR TESTIN

Pas vendosjes në Klasë të Testimit dhe para fillimit të kohës së testimit, kandidatët do të marrin udhëzime nga Administratori në lidhje me mënyrën e plotësimit të testit dhe Fletë-përgjigjes.

Gjatë marrjes së udhëzimeve nga Administratori kandidatët duhet të mbajnë qetësi, në mënyrë që udhëzimet të kuptohen nga të gjithë kandidatët.

Gjatë marrjes së udhëzimeve nga Administratori kandidatët kanë të drejtë të bëjnë pyetje apo të kërkojnë sqarime shtesë nga Administratori në lidhje me mënyrën e plotësimit të testit dhe Fletë-përgjigjes.

Kur kandidati e merr testin nga Administratori, para se të fillojë testimi, kandidati e kontrollon testin për t’u siguruar që në test është lënda zgjedhore që kandidati e ka përzgjedhur me rastin e paraqitjes së provimit të maturës. Në rast se lënda zgjedhore në test nuk është ajo që kandidati e ka përzgjedhur me rastin e paraqitjes së provimit, atëherë kandidati përmes formularit të paraqitjes së provimit të maturës (të cilin duhet ta ketë me vete ditën e testimit) ia dëshmon Administratorit se cilën lëndë zgjedhore e ka përzgjedhur dhe kërkon nga Administratori që të sjellë një test tjetër, me lëndën zgjedhore të përzgjedhur nga kandidati.

Kur kandidati e merr testin dhe fletë-përgjigjen nga Administratori, para se të fillojë testimi, kandidati e kontrollon se a është e njëjtë forma e testit dhe forma e fletë-përgjigjes (p.sh. Forma A, Forma B). Nëse nuk i ka të njëjta, atëherë kandidati kërkon nga Administratori që t’ia sjellë fletë-përgjigjen e formës së njëjtë sikur testi.

Kur kandidati e merr testin nga Administratori, para se të fillojë testimi, kandidati e kontrollon testin për t’u siguruar që testi nuk ka ndonjë gabim teknik ose gabim shtypi. Në rastet kur testi ka gabime, atëherë kërkohet nga administratori që të zëvendësohet testi.

 

RREGULLAT GJATË TESTIMIT

Gjatë testimit kandidatët mund të kenë mbi bankë vetëm testin, Fletë-përgjigjen, lapsin, ujin, faculetat e letrës dhe mjetin e identifikimit.

Gjatë testimit kandidatët nuk mund të bëjnë pyetje, të kërkojnë sqarime apo ndihmë as nga Administratori as nga palët e tjera.

Gjatë testimit kandidatët duhet të mbajnë qetësi maksimale. Nuk lejohen pëshpëritje, të folur me zë, lëvizje që prishin qetësinë në klasë apo në sallën e testimit, etj..

Gjatë testimit kandidatët nuk mund të përdorin asnjë mjet ndihme (si telefon, kalkulator apo pajisje e mjet tjetër ndihmës).

Gjatë testimit kandidatët nuk guxojnë të kthejnë kokën apo të kthehen anash më shumë se 45 gradë.

Gjatë testimit kandidatët nuk guxojnë të provojnë të flasin me njëri-tjetrin, të kopjojnë nga njëri-tjetri apo të ndihmojnë njëri-tjetrin.

Gjatë testimit kandidati që kanë nevojë për të shkuar në WC, vetëm e ngre dorën lart (nuk flet me zë) dhe Administratori ofrohet për të dhënë leje për të dalë nga klasa nën mbikëqyrjen e zyrtarëve përkatës në Qendrën e Testimit.

Testi nuk lejohet të merret me vete, të fotografohet, të kopjohet apo të publikohet nga kandidatët në asnjë formë. Në momentin që administratori tregon se ka përfunduar koha e testimit, të gjithë kandidatët duhet t’i lëshojnë lapsat në bankë dhe t’i mbyllin testet. Nuk lejohet asnjë shënim a përgjigje pas përfundimit të kohës së testimit (150 minuta). Kandidatët presin ulur derisa administratori t’i mbledhë të gjitha testet dhe Fletë-përgjigjet. Mosrespektimi i kohës nga kandidatët mund të rezultojë me anulim të testit.

VËMENDJE: Mosrespektimi i cilësdo nga rregullat e sipër-përmendura nga kandidatët gjatë kohës së testimit rezulton me përjashtim të kandidatëve nga testimi dhe anulim të tërësishëm të rezultateve të tyre. Në raste të tilla, këta kandidatë mund t’i nënshtrohen provimit të maturës shtetërore vetëm në afatin tjetër apo vetëm në vitin tjetër.

 

INFORMATA DHE UDHËZIME RRETH TESTIT

Testi i provimit të maturës shtetërore 2020 përbëhet nga 4 lëndë, prej të cilave 3 janë obligative, ndërsa 1 lëndë zgjedhore, të cilën e përzgjedhë vet kandidati (me rastin e paraqitjes së provimit të maturës) në mesin e lëndëve zgjedhore të ofruara në dispozicion.

Lëndët obligative janë:

1. Gjuhë amtare
2. Gjuhë angleze
3. Matematikë

Lëndët zgjedhore në dispozicion janë:

1. Fizikë
2. Kimi
3. Biologji
4. Informatikë
5. Gjeografi
6. Histori
7. Sociologji
8. Psikologji
9. Ekonomi me ndërmarrësi
10. Edukatë qytetare
11. Histori e artit
12. Teori e muzikës dhe harmoni

Testi i provimit të maturës shtetërore 2020 ka gjithsej 100 kërkesa (pyetje, detyra), nga 25 kërkesa për secilën nga katër lëndët e përfshira.

Testi i provimit të maturës shtetërore 2020 do të zgjasë 150 minuta (2.5 orë), duke filluar llogaritjen e kohës pas përfundimit të dhënies së udhëzimeve nga Administratori dhe fillimit zyrtar të testimit.

Kandidatët inkurajohen që ta shfrytëzojnë gjithë kohën në dispozicion, meqë nuk ka pikë bonus nëse e përfundojnë testin më herët. Ata që e përfundojnë testin para kohe nuk mund të dalin nga klasa, prandaj duhet të qëndrojnë në klasë deri në përfundim të kohës së testimit pa penguar të tjerët.

Testi përbëhet nga dy pjesë:

1. Broshura e testit, në të cilën janë kërkesat (pyetjet, detyrat) dhe alternativat e përgjigjeve (në broshurën e testit kandidatët kanë të drejtë të shkruajnë sipas nevojës).
2. Fletë-përgjigjja, në të cilën kandidatët i shënojnë të dhënat e tyre identifikuese dhe përgjigjet e tyre përfundimtare (vetëm përgjigjet e kandidatit të evidentuara në Fletë-përgjigje merren parasysh për vlerësimin e rezultatit të kandidatit – jo përgjigjet e shënuara në Broshurën e testit).

Nuk lejohet korrigjim i përgjigjeve pasi të evidencohen në Fletë-përgjigje (sepse mund të mos lexohen nga lexuesi optik), prandaj ju rekomandohet kandidatëve që fillimisht përgjigjet e tyre t’i evidencojnë në test dhe pastaj, pasi të jenë të sigurt, t’i përshkruajnë përgjigjet në Fletëpërgjigje me kujdes dhe pa gabime.

Për çdo kërkesë (pyetje, detyrë) në test, ofrohen 4 mundësi/alternativa të përgjigjeve, prej të cilave vetëm njëra është e saktë. Nuk ka minus pikë për përgjigje të gabuar. Në rast se kandidati nuk përgjigjet fare në ndonjë kërkesë (pyetje, detyrë), as nuk merr pikë e as nuk humbë pikë.

Informata shtesë mund të merrni në linkun më poshtë:

https://masht.rks-gov.net/uploads/2020/05/informata-udhezime-dhe-rregulla-per-kandidatet-maturantet-provimi-i.pdf


Category: Lajmet , Ngjarjet e Rëndësishme

Publikuar më: 25/08/2020