Qëllimi i këtij organizimi është promovimi i aktiviteteve shkencore të nxënësve. Të drejtë për pjesëmarrje kanë të gjithë nxënësit e shkollave të mesme në territorin e Republikës së Kosovës. Afati i fundit i dorëzimit të projekteve 17 prill 2020. Projektet dorëzohen në e-mail adresën [email protected] ose në kopje të fortë pranë Qendrës Social-Edukative «Don Bosko». Në kuadër të Javës së Shkencës, përveç konkursit dhe olimpiadave të shkencave, më 29 prill 2020, në ora 12:00 mbahet Tryezë shkencore me temë “Inteligjenca artificiale”

 

Kriteret për vlerësim dhe pranim të projektit

Projekti duhet të jetë nga këto fusha: Automatikë, elektronikë,  informatikë, mekatronikë dhe telekomunikacion.

Anëtarët e grupeve të jenë nxënës të shkollave të mesme. Projekti të punohet individualisht ose në grupe. Grupet mund të krijohen me nxënës të klasave dhe viteve të ndryshme. Një nxënës mund të jetë vetëm në një grup punues. Projekti duhet të shpjegojë qartë qëllimin, procedurat dhe përfundimet. Projekti të dorëzohet në afatin e caktuar, në kopje fizike dhe elektronike (të përgatitet në Word, në PowerPoint, për prezantim dhe me programe simulative ose të paraqitet në realizim direkt). Projekti i paraqitur në Word të punohet në bazë të parametrave të mëposhtëm:

Fleta e parë:

  1. Në pjesën e sipërme të fletës të vendoset Logoja e shkollës përkatëse dhe nën të, të shkruhet emri i shkollës.
  2. Në mes të fletës të shkruhet Punim shkencor, pastaj nën të, të “Shkruhet tema e punimit”.
  3. Në fund të fletës, në krahun e djathtë, të shkruhen emrat e nxënësve që e kanë realizuar projektin.

Lloji i shkronjave: Times New Roman, madhësia e shkronjave të jetë si më poshtë: Për kapituj të jetë 16, për tituj të jetë 14 dhe për përmabjtjen e temës të jetë 11; hapësira në mes rreshtave të jetë 1,5.

Rreshtat të barazohen në të dyja anët.

Hapësira pas shenjave të pikësimit: Të lihet për një vend hapësirë pas shenjave të pikësimit dhe simboleve të tjera (. , : ; “ + < > – etj.)

Ekuacionet ndërmjet dy rreshtave: Jashtë tekstit, të shkruhen tërësisht, me ndihmën e Editorit të ekuacioneve, ndërsa shenjat dhe simbolet, si p.sh δ, Ω, sinα, x + y etj., brenda rreshtit, të shkruhen duke përdorur ikonën Insert Symbol për të shkruar shkronjat greke (δ, Ω, α etj.) dhe simbolet matematike (±, », Σ, ∞, ≥ etj.) apo ikonën Subscript x2 për të shkruar shenjat apo numrat në indeks dhe ikonën Superscript x2 për të shkruar shenjat apo numrat në eksponent, si dhe komandën Ctrl I për t’i bërë të pjerrëta  shkronjat, si: x, y, z, t, v etj.

Numrat (1, 2, 3, …), shkronjat greke (α, β, γ, ε, etj.), simbolet matematike (=, +, ≈, × etj.) si dhe njësitë (cm, μm, kHz, MΩ etj.) nuk shkruhen të pjerrëta.

Përfundimi: Në bazë të studimit apo hulumtimit, të nxirret një përfundim për projektin përkatës.

Përmbajtja e punimit të bëhet në mënyrë automatike.

Të shkruhen referencat në bazë të sistemit të Harvardit.

Projekti të realizohet në PowerPoint.  Të paraqitet shkurtimisht dhe me foto, figura, grafikë dhe formula ,nëse nevojitet. Numri i slajdeve të jetë 10-15.

Kohëzgjatja e paraqitjes varet nga numri i projekteve konkurruese.

Projekti duhet të tregojë origjinalitet.

Të jetë i bazuar në përfundime të përshtatshme të eksperimentimit.

Paraqitja të jetë në gjendje të tregojë rëndësinë e projektit dhe zbatimin e tij në praktikë.

Nëse vërtetohet se punimi është vjedhur do të anulohet menjëherë.

Hapat e realizimit të projektit

Shkolla «Don Bosko», ofron të gjitha kapacitetet që ka për nxënësit inovatorë të  shkollave të Kosovës.

Laboratorët e Shkollës sonë janë në dispozicion për grupet punuese të projekteve, në marrëveshje me organizatorët.

Projekti duhet të dorëzohet brenda afatit të caktuar, më 17 prill 2020.

Vlerësimi i projekteve bëhet më 27-28 prill 2020.

Projektet që i plotësojnë kriteret hyjnë në listën e ngushtë për t’u prezantuar.

Paraqitja e projekteve bëhet nga të gjithë anëtarët e  grupit, përmes një mbrojtjeje publike, në praninë e profesorëve, nxënësve dhe të interesuarve.

Paraqitja e projekteve bëhet më 30 prill 2020, në orën  12:00.

Shpërblimet

Vendi i parë 400 €

Vendi i dytë 250 €

Vendi i tretë 150 €

Drejtori i QSE «Don Bosko»
Dominik Qerimi


Kategoria DITA E SHKENCËS , Lajmet , Ngjarjet e Rëndësishme