Sot, me datë 11 dhjetor 2019, ditë e merkurë, nën organizimin e Qendrës Social- Edukative “Don Bosko” në Prishtinë, nxënësit e shkollës së mesme të lartë hapën Javën e Solidaritetit, duke sjellur gjëra ushqimore të përgatitura enkas për këtë javë. Ky aktivitet zhvillohet brenda qendrës së shkollës dhe do të zgjasë tri ditë, gjegjësisht deri ditën e premtë, me datë 13 dhjetor 2019.

Kjo javë është tashmë tradicionale në shkollën tonë, por këtë vit kemi vendosur që të hollat, të cilat do të mblidhen nga shitja e këtyre ushqimeve do të dërgohen për të prekurit nga tërmeti i 26 nëntorit.

Ne e dimë se kjo nuk është shumë, dhe mbase krahasuar me donacionet e bëra nga të tjerët mund të jetë edhe tepër pak, por si nxënës që janë mjafton dëshira dhe dashuria për të bërë një vepër të tillë, e ajo çka me të vërtetë ka shumë rëndësi në këto ditë është dëshira për ta ndihmuar dikë dhe dashuria me të cilën e bëjmë një gjë të tillë, sepse t`i dhurosh shpresë dikujt që ka nevojë është dhurata më e mirë që mund t`i bësh, sidomos në këto ditë të ftohta dimri. Te e fundit, në veprimtarinë e secilit ka rëndësi të ketë shpresë dhe dashuri, porse më e rëndësishmja nga  këto është dashuria, ajo që gjithmonë i mbanë zemrat ngrohtë dhe ngjallë shpresën.

 Prandaj, le të dhurojmë dashuri, që shpresa kurrë të mos na mungojë.


Category: Lajmet , Ngjarjet e Rëndësishme

Publikuar më: 11/12/2019