Fort të dashur nxënës dhe prindër të Shkollës “Don Bosko”,

para së gjithash shpresojmë, urojmë dhe lutemi që të jeni të gjithë mirë dhe të mos prekeni nga ky virus që tashmë është shndërruar në një pandemi botërore. Këshilla jonë është e njëjtë me atë të autoriteteve dhe ekspertëve të kësaj fushe: ruajeni veten dhe të afërmit tuaj, duke ju qëndruar atyre fizikisht sa më larg, por shpirtërisht sa më afër që është e mundur. Ruajeni qetësinë dhe mos lejoni që frika t’ju dëmtojë më shumë se virusi. Vlerësojeni kohën që keni për të bërë ‘diçka të mirë’ që ndoshta gjithmonë keni dashur, por nuk keni pasur kohë ta bëni.

Siç e dini tashmë dhe siç jeni kontaktuar nga mësimdhënësit kujdestarë të klasave tuaja përkatëse, këtë javë kemi filluar mësimin Online dhe do vazhdojmë ta praktikojmë atë derisa gjendja të kthehet në ‘normalitet’, gjë që urojmë që të ndodhë sa më shpejt.

Ju nxënës të dashur, jeni të lutur që të përditësoheni  mbi ecurinë e mësimit dhe mbi materialet/instrumentet që mësimdhënësit tuaj janë duke jua dërguar. Shfrytëzojeni sa më shumë kohën tuaj të çmuar dhe mjetet e komunikimit që keni në dispozicion. Për çdo vështirësi/paqartësi, jeni të lutur të kontaktoni drejtpërdrejt kujdestarin e klasës suaj, apo mësimdhënësin e lëndës përkatëse.

Ju prindër të nderuar, jeni të lutur që të përcillni, sa është e mundur, dhe të nxisni fëmijët tuaj që t’i kushtojnë një kohë/hapësirë të veçantë mësimit. Për çdo paqartësi apo nevojë, mund t’u drejtoheni mësimdhënësve kujdestarë të fëmijëve tuaj. Në rast që nuk do keni mundësinë ta bëni këtë atëherë mund të na kontaktoni në adresën e e-mail-it të QSE “Don Bosko”: [email protected].

Ne si Shkollë jemi duke ndjekur të gjitha udhëzimet e dhëna nga MASHTI dhe nga autoritetet/institucionet tjera shtetërore. Për çdo risi, do ju përditësojmë po në këtë faqe Website (www.donbosko-kosova.com).

Suksese te dashur nxënës dhe urojmë që kjo situatë të kaloi sa më shpejtë!


Category: Lajmet , Ngjarjet e Rëndësishme

Publikuar më: 20/03/2020