Reagim ndaj lajmit të dhënë nga televizioni T7, gjatë transmetimit të emisionit FRONTAL, më 16. 01. 2020,  në ora 17:54 min.

Pasi kemi përcjellë këtë informacion të transmetuar nga T7, ne si QSE “Don Bosko” bëjmë këtë reagim, respektivisht njoftim, për opinion e T7, për prindërit e nxënësve të shkollës sonë dhe për punonjësit e QSE “Don Bosko” se:

Në lidhje me këtë çështje QSE “Don Bosko” është informuar, pas një vizite të bërë nga Inspektorati i Arsimit, më 04.12.2019, ora e fillimit 09.00. Qëllimi i inspektimit “Shqyrtimi i ankesës së prindit Arsim Lani, lidhur me shqetësimet e tij ndaj stafit udhëheqës dhe mësueses së klasës së II/A, znj. Arta Sada-Fetiu”.

Siç mund të shihet edhe nga Qëllimi i inspektimit, ankesa është bërë vetëm nga ‘NJË’ prind, i ‘NJË’ nxënësi që vijonte mësimet në Shkollën tonë, në klasën IIA, ku mësimdhënëse kujdestare është Arta Sada-Fetiu. Siç mund të konstatohet nga dokumenti i lartpërmendur i Inspektoratit të Arsimit dhe me sa jemi informuar nga po i njëjti institucion, prindi i nxënësit që ka paraqitur ankesën quhet: ARSIM LANI, ndërkohë që edhe prezantuesi i këtij lajmi, në T7, është po i njëjti Z. Arsim Lani.

Nga Inspektorati i Arsimit nuk është cekur në asnjë moment, as me gojë as me shkrim, se ka pasur ankesa nga prind të tjerë, në adresë të mësueses Arta Sada-Fetiu, apo dikujt tjetër nga stafi i QSE “Don Bosko”.

Pas kësaj vizite nga ana e Inspektoratit të Arsimit, – që për disa orë dhe në mënyrë të detajuar e kanë inspektuar çështjen,  – më 27.12.2019, është protokolluar Procesverbali i mbajtur gjatë inspektimit tematik, me nr. Prot.: 695/19. Ne si QSE “Don Bosko” kemi marrë nga SIA me shkrim këto, dhe VETËM KËTO rekomandime (jo vërejtjet), që kanë të bëjnë me mësuesen Arta dhe me Ankesën e parashtruar:

“1. Mësuesja obligohet që të mbajë evidencë me gjithë prindërit kur ka takim;
2. Mësuesja obligohet që të respektojë kohën sipas etapave të orës mësimore;
3. Mësuesja obligohet që të evidentojë në ditar ndryshimet e ndërrimit të orës mësimore;
4. Drejtori i Shkollës dhe zëvendësdrejtori, brenda 10 ditësh të marrin masa sipas ligjit në fuqi ndaj mësimdhënësve të cilët nuk kanë përmbushur detyrat e tyre administrative;”

Siç mund të konstatohet nga Rekomandimet e lartpërmendura, që mund të verifikohen edhe në dokumentin përkatës, “Procesverbal i inspektimit tematik’, asnjëra nga këto Rekomandime nuk e vërteton pretendimin e prindit ankues, zt. Arsim Lani, njëkohësisht transmetuesit të këtij lajmi në T7, se “Ajo (Arta Sada-Fetiu) në disa raste ka përdorur dhunë fizike ndaj nxënësve kurse dhuna psikike ka qenë prezentë vazhdimisht.”, ankesë kjo, apo akuzë, që për mendimin tonë kanë një peshë shumë të rëndë qoftë për mësuesen A. S-F., qoftë për QSE “Don Bosko”.

Pas inspektimit të Inspektoratit të Arsimit, QSE “Don Bosko” i ka ftuar të gjithë prindërit e nxënësve të kl. II/A dhe ka kërkuar deklarimin e tyre me shkrim, në lidhje me akuzat që i janë bërë mësimdhënëses në fjalë. Të gjithë prindërit, pa asnjë përjashtim, kanë firmosur një letër në të cilën pohojnë: “Ne prindërit e nxënësve, që vijojnë mësimet në klasën II/A në SHFMU “Don Bosko” – Prishtinë, deklarojmë se mësuesja Arta Sada-Fetiu, gjatë këtyre dy viteve nuk ka përdorur dhunë fizike dhe psikike ndaj fëmijëve tanë. Këtë e deklarojmë me vullnet të lirë e të plotë dhe mbajmë përgjegjësi personale.”

QSE “Don Bosko”, është e interesuar që të pranojë çdo shqetësim, të cilitdo prind, në mënyrë që edhe më tej të avancojmë cilësinë e Arsimit dhe Edukimit në Qendrën dhe Shkollën tonë.

Prishtinë, më 20.1.2020


Kategoria Lajmet