Risitë dhe sfidat janë gjithmonë të mirëpritura në qendrën social- edukative “Don Bosko”, si për qendrën tonë, ashtu edhe për qendrën social- edukative “Don Bosko” nga Gjilani, e cila ishte pjesëmarrëse në këtë takim.

E tillë ishte edhe përvoja e ligjeratës së djeshme, ditë e martë, datë 12/11/2019, ligjeratë kjo e organizuar nga qendra jonë në bashkëpunim me profesorin e filozofisë, Giuseppe Meroni, dhe don Simone Riva, edukator.

Profesor Meroni numëron përreth pesëdhjetë vite përvojë pune më nxënës, student dhe të rinj, prandaj edhe sakrifikoi aq shumë, duke ardhur nga Milano, për të ndarë përvojën e tij pesë dekadëshe me stafin e “Don Boskos”.

Në anën tjetër, don Simone, si salezian që është, poashtu kishte shumë nga përvoja e tij për të rrëfyer, sepse jeta e tij i është kushtuar të rinjve.

Këtë takim e hapi drejtori i QSE “Don Bosko”, don Dominik- Skender Qerimi, që fillimisht i prezantoi musafirët para stafit, njëkohësisht u uroi mirëseardhje dhe tregoi se sa mirënjohës është për këtë takim.

Pastaj fjalën e mori Prof. Giuseppe Meroni, i cili u shpreh së ishte mjaft entuziast për këtë takim. Gjatë ligjerimit,ku tema ishte mjaft komplekse “Edukimi është komunikimi i vetvetës: problemi jemi ne”,  ai ndau copëza nga përvoja e tij shumëvjeçare, duke dhënë kështu edhe instruksione se si duhet t`u qasemi situatave të ndryshme, të krijuara gjatë një dite pune më nxënës, nëse vërtet nisemi nga titulli i kësaj ligjerate.

Pas tij, fjalën e mori don Simone, gjithashtu për të ndarë pjesëza të përvojës së tij me stafin tonë. Përvoja të tilla, që secili mësimdhënës e gjente vetën diku gjatë rrëfimit.

Pas ligjerimit, fjala kaloi tek mësimdhënësit, disa për të rrëfyer ngjarje e ndodhi nga përvoja e tyre, e disa të tjerë për të pyetur.

Pas kësaj ligjerate profitabile të gjithë ishin mirënjohës dhe falenderues, si punonjësit e QSE “Don Bosko” për shkëmbimin e përvojave, ashtu edhe Prof. Meroni dhe don Simone, për interesimin e stafit për ligjeratën.


Kategoria Lajmet , Ngjarjet e Rëndësishme