Me datë 30/10/2019, ditë e merkurë, ashtu siç edhe kemi lajmëruar paraprakisht, u mbajt takimi i parë me prindërit e nxënësve të klasave të para, me qëllim informimi për mbarëvajtjen e procesit mësimor.

Takimin e hapi drejtori i QSE “Don Bosko”, Don Dominik-Skender Qerimi, i cili përveçse u uroi mirëseardhje prindërve, ai gjithashtu i falënderoi për pjesëmarrjen dhe gatishmërinë e shfaqur për bashkëpunim në bazë të trekëndëshit didaktik, duke ju referuar kësaj pjese me kërkesën ‘Na ndihmoni, qe t`ju ndihmojmë!’

Gjatë takimit, drejtori informoi se mësueset e këtyre klasave janë gjithmonë të gatshme për konsultime dhe bashkëpunime me prindër, çdo ditë pune, pas përfundimit të procesit mësimor. Poashtu, ai kërkoi nga prindërit, që në rast nevoje të pranojnë punën e mësueses me fëmijë me plan individual (PIA).

Duke ju përgjigjur pyetjeve dhe kërkesave të shumta të prindërve, ai gjithashtu sqaroi faktin se shkolla “Don Bosko” vepron sipas planprogrameve të MASHT-it, dhe kalendari shkollor i hartuar nga po i njejti institucion është valid edhe për shkollën tonë. Në kuadër të kësaj, drejtori kumtoi vendimin se vetëm tre ditë mësimore, me kërkesën e prindërve, janë të arsyetueshme nga shkolla për nxënësit e ciklit klasor brenda një periudhe, në raste të pashmangshme.

Pas fjalës së drejtorit, prindërit u drejtuan në klasa për t`u konsultuar me mësueset rreth mbarëvajtjes së procesit mësimor.


Kategoria Lajmet