Sipas lajmërimeve të shpallura ditë më parë në rrjetet sociale zyrtare të shkollës, me datë 06/11/2019, ditë e merkurë, u mbajt takimi me prindërit e shkollës fillore të mesme të ulët, të Qendrës Social- Edukative “Don Bosko”, në Prishtinë.

Takimin, siç edhe është zakon, e hapi drejtori i kësaj qendre, Don Dominik- Skender Qerimi, por i pranishëm ishte edhe zëvendësdrejtori për shkollë fillore dhe shkollë të mesme të ulët, Don Pavlin Zefi, dhe mësimdhënësit kujdestar të klasëve në fjalë.

Ai fillimisht falënderoi prindërit për pjesëmarrjen dhe shprehu gatishmërinë dhe vullnetin për bashkëpunim, sipas trekëndëshit didaktik, dhe jo vetëm në aspektin arsimor, por edhe atë edukativ.

Pas kësaj, ai kumtoi disa nga pikat e rregullores së shkollës, të cilat duhet të respektohen si nga prindërit, ashtu edhe nga nxënësit, e pas kësaj ai foli mbi anketat, të cilat prindërit i kanë plotësuar me vullnetin e tyre të lirë.

Disa nga vendimet e marra në bazë të ankesave/ kërkesave të prindërve, ai i kumtoi para të pranishmëve, duke qenë gjithmonë i hapur ndaj sugjerimeve.

Drejtori i shkollës “Don Bosko” gjithashtu foli mbi çështjen e ushqimit që servohet gjatë qendrimit të nxënësve në shkollë, mbi kërkesat për leje, mungesat e fëmijëve dhe vonesat në mëngjes.

Sqarimi i vlerësimit të nxënësve ishte një nga temat kyçe të takimit, gjë për të cilën ishte mjaft i qartë gjatë informimit të prindërve, duke treguar se është temë e hartuar me kurrikulë dhe vjen drejtpërdrejt nga MASHT-i.

Tema dytësore, por jo më pak e rëndësishme, ishte edhe ajo e disiplinës në shkollë, temë për të cilën ai mori disa shembuj anonim, duke kumtuar kështu edhe masat ndeshkuese që shkolla i merr kundrejt nxënësit.

Duke falenderuar për vëmendjen dhe pjesëmarrjen në këtë takim, ai udhëzoi prindërit të drejtohen në klasët përkatëse, për të pasur mundësinë e konsultimit me mësuesit kujdestar të fëmijëve të tyre.


Category: Lajmet

Publikuar më: 07/11/2019