Sot, me datë 27 gusht 2019, ditë e martë, u mbajt takimi mirëseardhës për klasët e para, sipas lajmërimit që është bërë paraprakisht.

Ky takim u zhvillua me prindërit dhe nxënësit e rinj, nën organizimin e drejtorit të QSE “Don Bosko”, Don Dominik- Skender Qerimi, zëvendësdrejtorit të SHF dhe SHFMU, Don Pavlin Zefit, dhe zëvendësdrejtorit të SHML, Don Tomë Mihaj.

Takimin e hapi drejtori i Qendrës, Don Dominiku, duke uruar mirëseardhje për fëmijët, e gjithashtu edhe për prindërit. Gjatë fjalimit të tij, ai i komunikoi disa pika kyçe të rregullores së shkollës, meqë shumica e prindërve po bëheshin pjesë e shkollës për herë të parë. Gjithashtu, meqë fëmijët dhe prindërit ishin kureshtarë të dinë se tek cila mësuese do fillonin klasën e parë, ai shpalosi para tyre edhe mënyrën se si është bërë seleksionimi i nxënësve. Duke dëshiruar takim të këndshëm, ai e kaloi fjalën tek Don Pavlini, i cili filloi me disa batuta për fëmijët, një storie të shkurtër sa për t`i liruar dhe për tu treguar atyre, se shkolla jonë është vend ku duhet të ndjehen të lirë për tu shprehur dhe për të vepruar, dhe sigurisht se me kalimin e kohës ata do ta kenë shkollën si shtëpi të dytë. Pas kësaj, Don Pavlini ftoi sekretaren e shkollës fillore për të thirrur veç e veç emrin e secilit nxënës dhe për t`i takuar me mësueset e tyre.

Pas ndarjes së klasave, mësueset së bashku me fëmijët dhe prindërit i vizituan klasët e tyre, për tu njoftuar me ambientin e shkollës.

Pas takimit, Don Dominiku shpërndau nga një dhuratë për mirëseardhje për secilin nxënës, ku edhe pati mundësinë për të biseduar me prindër.

Fëmijë të dashur, Qendra Social-Edukative “Don Bosko” ju uron mirëseardhje dhe shumë suksese!


Kategoria Lajmet , Ngjarjet e Rëndësishme , Shkolla Fillore