Shëtitje kulturore e stafit të Q.S.E “Don Bosko” në Strugë, Pogradec, Korçë, Shën Naum, Ohër

Tërë fisi, tërë jeta, ra … u dergj … e zuri gjumi.

Zotëroi në të katër anët errësirë…

Po tash:

Duke nisur udhëtimin mes për mes nër Shqipëri

Drini plak e i përrallshëm

Po buron prej Shendaumi …

(Lasgush Poradeci)

Kur mbrëmja pushtoi sheshin e qytetit, një pjesë e kolektivit të shkollës sonë arriti në qendër. Gjithçka kishte kuptimin e një dëshire, që së bashku të shijohen ato bukuri të një qyteti të vjetër. Një shëtitje buzë liqenit të Ohrit ishte vals i përbashkët fjalësh dhe çdo gjë lehtësohej nga brenda.

E nesërmja vazhdoi me zërin e një thirrjeje për të vizituar qytetin e Strugës, i cili skicohej nga bukuritë e Drinit. Onomatopeja pasqyronte domethënie lashtësie, simbiozë kohësh.

Në çdo kilometër të kaluar, shëtitja merrte kuptim të ri, bëhej sintezë e një fillimi të ri me aromë trëndafili.

…. Qyteti i vjetër i Pogradecit uroi mirëseardhje me melodinë e valëve të qeta të liqenit. Qyteti ku Lasgushi krijoi gjithë lirikën e tij për dashurinë dhe natyrën, i frymëzuar nga dallgët e liqenit e ndezja e lindjes së diellit. Vendi ku Kuteli i dha ngjyrë artistike çdo detaji shqiptar, me perlat e shkrimeve të tij. Qyteti i cili me mjellmat dhe peshkun koran, që ishte frymëzim i shumë artistëve e regjisorëve, për të ekranizuar shumë filma shqiptarë.

Udhëtimi vazhdoi në qytetin e serenatave, një vend kulturor, i stërmbushur me vlera artistike. Vizita në Mësonjëtoren e Korçës ishte njëra ndër përjetimet më të veçanta, duke rikujtuar historinë e arsimit tonë, rrënjët e se cilit i gjejmë në lashtësi.

Shëtitja dyditore po përmbyllej me vizitën e manastirit të Shën Naumit. Një retrospektivë, një histori e dhimbshme shqiptare, një ndjesi e përmallshme, një qetësi shpirtërore. Pikturë e gjallë, përjetim i veçantë ishte shëtitja në varkë, deri te burimi i Drinit.

Kur dielli filloi të ulej lehtaz, kjo shëtitje filloi të sistemohej në përjetim …

Urojmë që shëtitje të tilla të organizohen më shpesh dhe së shpejti të kthehen në traditë!


Category: Ngjarjet e Rëndësishme , Qendra "Don Bosko" - Prishtinë

Publikuar më: 19/10/2016